Në Vig të Mirditës u vra në luftë me forcat e Gjon Marka Gjonit, Naim Gjylbegu, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në Shkodër, në vitin 1920. Qysh në moshë të re përqafoi idetë komuniste dhe u përfshi në veprimtarinë antiqeveritare. Me krijimin e organizatës së Rinisë Komuniste u zgjodh anëtar i Komitetit Qarkor të saj në qarkun e Shkodrës (1942). Ishte ndër organizatorët e demonstratës së 22 shkurtit 1942 në Shkodër. U burgos e u torturua barbarisht. Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare në maj 1942. Veproi si agjitator për propagandimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në zonat Dukagjin, Lezhë e Mirditë. Komandant kompanie në batalionin “Perlat Rexhepi” (1943). Mori pjesë në luftën e Reçit (1943). (Në fotografi: Naim Gjylbegu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 871.
Fotografia: © Ledio Xhoxhi, arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




