Ndre Mjeda

Lexo ngjarje:

Në Shkodër lindi Ndre Mjeda, poet, veprimtar patriot e demokrat dhe studiues klerik. Lindi në një familje të varfër të zbritur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër. Më pas u dërgua për studime të mesme dhe të larta teologjike në disa vende në Evropë. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. Ndre Mjeda u kthye në atdhe në vitin 1899 dhe u emërua famullitar në fshatra të ndryshme. U lidh që herët me lëvizjen patriotike. Më 1901, bashkë me të vëllanë, Lazër Mjedën, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike, autoritetet osmane e arrestuan. Më 1908, në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Në periudhën e hovit të “Lëvizjes demokratike” (1920–1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924 u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit qe mësues i gjuhës shqipe në Shkodër. Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur “Vaji i bylbylit” u shkrua më 1887. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit, që të ngrihej për të fituar lirinë. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të rilindjes, si “Liria” (1910–1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Në poemën e njohur “Andrra e jetës”, nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri. Ndre Mjeda dha ndihmesë edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në gramatikë, leksikologji, filologji. Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u mor me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë së vjetër shqipe. U nda nga jeta në Shkodër, në vitin 1937. (Në fotografi: Ndre Mjeda)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1747-1748.

Fotogafia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img