Nënshkrimi i “Paktit italo-shqiptar të miqësisë dhe i sigurimit”.

Lexo ngjarje:

Në Tiranë u nënshkrua “Pakti italo-shqiptar i miqësisë dhe i sigurimit”. Pakti përbëhej prej 5 nenesh, por thelbin e tij e përmbante neni 1, në të cilin thuhej: “Italia dhe Shqipëria deklarojnë se çdo cenim i status quo-së politike juridike e territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat politikë të të dy palëve”. Me anë të kësaj klauzole parandalohej nga Italia çdo përmbysje e regjimit nga brenda dhe nga jashtë; kjo i jepte mjaft garanci Ahmet Zogut për të mbajtur pushtetin. Nga ana tjetër, i jepte të drejtën Italisë të ndërhynte në Shqipëri në çdo kohë që ajo do ta shihte të arsyeshme, për të mënjanuar rrezikun e mundshëm. Një klauzolë tjetër e paktit, që ligjëronte nënshtrimin e vendit ndaj Italisë, pohonte se qeveria shqiptare nuk kishte asnjë të drejtë të lidhte marrëveshje të tilla me të tjerët. Kjo do të thoshte se politika e jashtme e saj ishte e varur nga Italia. Në përputhje me këtë, qeveria e Romës ndoqi me shqetësim çdo përpjekje të Ahmet Zogut për t’u afruar me të tjerë dhe nuk e lejoi të ndërmerrte hapa në këtë drejtim. Pra, jo vetëm regjimi, por edhe Shqipëria vihej nën mbrojtjen italiane. Ky pakt me afat për 5 vjet dhe që mund të përsëritej në fund të këtij afati, krijoi një marrëdhënie protektorati ndërmjet Italisë e Shqipërisë së paku në mos de jure, de facto, ndërsa “reciprociteti” ishte një term bosh. Kufizimi i të drejtës së qeverisë shqiptare për të zhvilluar një politikë të jashtme të pavarur, dhe detyrimi që marrëveshjet me vendet e tjera të mos lidheshin pa pëlqimin e Italisë, e futi Tiranën zyrtare në një rrugë pa krye. Qeveria shqiptare, kur e pa se nuk e kishte më situatën në dorë, kërkoi që italianët të shpjegonin disa shprehje të paqarta të paktit. Pakti, sipas përgjigjes që dha Aloizi, ishte gjoja në të mirë të qeverisë shqiptare, sepse i jepte asaj garanci të plota për të përballuar situatat e vështira ndërkombëtare dhe kërcënimet nga armiqtë e mundshëm. Por ky arsyetim nuk ishte bindës dhe qeveria shqiptare i deklaroi pas pak kohësh qeverisë së Romës, se ajo duhej të ruante të drejtën që pakte analoge të lidhte edhe me shtetet e tjera, gjë të cilën Roma nuk e pranoi në asnjë mënyrë. Ahmet Zogu u mundua herë pas here ta lironte lakun që Italia i kishte hedhur në qafë, por pa sukses. Pakti ngjalli një reaksion të fortë te qeveria jugosllave. Ministri i jashtëm Ninçiç, që kish pasur marrëdhënie të mira me italianët, e quajti paktin tradhti dhe antijugosllav. Britania e Madhe e përshëndeti paktin, duke e vlerësuar si një faktor paqeje e sigurie në Ballkan, ndërsa Franca mbajti qëndrim kritik ndaj tij, duke e cilësuar si një veprim agresiv e luftënxitës në Ballkan e në Evropë. Vendet e tjera ballkanike, si Greqia, Bullgaria e Rumania, nuk e dënuan, madje përshëndetën Italinë për këtë veprim, sepse donin të ruanin marrëdhëniet me të. Paktit Italo-Shqiptar iu bë jehonë edhe nga shtypi evropian. Shumë gazeta të Evropës e gjykuan si një cenim të rëndësishëm të sovranitetit të Shqipërisë dhe si hapin e parë drejt aneksimit të saj nga Italia. (Në fotografi: Ahmet Zogu, i njohur si Mbreti Zog I.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 264–265.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Paktet_e_Tiran%C3%ABs

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img