U nda nga jeta Omer Nishani, veprimtar i lëvizjes demokratike, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe funksionar i lartë i shtetit shqiptar të pasluftës, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1946–1953). Lindi në Gjirokastër, në vitin 1887. Kreu studimet e larta për mjekësi në Stamboll. Mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe, pas ardhjes së Ahmet Zogut në fuqi, jetoi në emigracion për 15 vjet, ku zhvilloi një veprimtari të dendur kundër regjimit të Ahmet Zogut. Është ndër themeluesit e KONARE-së (Komiteti Nacional Çlirimtar – Komiteti i Çlirimit Kombëtar) dhe bashkë me Halim Xhelon botoi gazetën ”Liria kombëtare” (1925). U kthye në Shqipëri pas pushtimit italian dhe u zgjodh anëtar i Këshillit të Shtetit, por më pas u bashkua me Frontin Nacionalçlirimtar dhe dha ndihmesë në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë. Në Konferencën II Nacionalçlirimtare të Labinotit (1943) u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar; në Kongresin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar u zgjodh kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (Përmet, maj 1944). Deputet në Kuvendin Popullor nga viti 1945. (Në fotografi: Omer Nishani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1847–1848.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Omer_Nishani
Përpunim grafik: AHCF




