15 prill–8 gusht 1997
U zhvillua operacioni humanitar “Alba”, i dyti i zhvilluar në vendin tonë në vitet ’90 të shekullit XX. Operacioni humanitar “Alba” u zhvillua me kërkesën e qeverisë shqiptare dhe me mandatin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për stabilizimin e gjendjes së krijuar në vend pas falimentimit të firmave piramidale. Në operacionin humanitar “Alba” morën pjesë 7215 trupa nga 11 shtete evropiane: Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Turqia dhe Italia, e cila ishte kryesuese e operacionit të udhëhequr nga komandanti i A3 italiane, gjeneral Lucano (Luciano) Forlani. Misioni “Alba” synoi krijimin e një mjedisi të sigurt për shpërndarjen e ndihmave humanitare, krijimin e kushteve për veprimtarinë e organizatave ndërkombëtare, kufizimin e fushës së veprimit të bandave kriminale, mbështetjen e zgjedhjeve të lira e demokratike dhe rikthimin e stabilitetit politik. (Në fotografi: Forca italiane të operacionit humanitar “Alba” në Shqipëri.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1885–1886.
Fotografia: © https://www.alamy.com/stock-photo-albania-operation-alba-of-italian-armed-forces-after-the-civil-war-89416988.html
Përpunim grafik: AHCF




