Në Prishtinë u nda nga jeta Pjetër Bogdani, shkrimtari më i shquar i letërsisë shqiptare të mesjetës, klerik i lartë katolik, veprimtar i lëvizjes çlirimtare kundërosmane. Lindi në Gur të Hasit (Kukës), rreth vitit 1625. Kreu studimet e larta teologjike e filozofike në Romë dhe mori titullin doktor. Shërbeu së pari si famullitar në Pult e në Prizren; më 1656 u emërua peshkop i Shkodrës; më 1677, kryepeshkop i Shkupit. Mori pjesë në lëvizjet çlirimtare që nisën në këto vite, sidomos në Shqipërinë Veriore e Verilindore. Për këtë shkak iu desh të jetonte e të punonte më shumë maleve, për t’u shpëtuar përndjekjeve osmane. Vepra e Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve” (Ceneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Është një vepër origjinale me temë kryesisht teologjike-filozofike, po herë pas here shtjellon edhe çështje të historisë, gjeografisë, astronomisë etj. Autori ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit shqiptar. Pjetër Bogdani kërkonte që t’i jepeshin popullit libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen e zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit. Pjetër Bogdani luftoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqipe, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës. Pjetër Bogdani përdori alfabetin e vjetër të Veriut me katër shkronjat e posaçme të tij dhe me dy shkronja greqisht. Grafia e tij i përshtatet më mirë fonetikës së shqipes dhe dëshmon për një saktësi e qartësi më të madhe. Një botim kritik i veprës së Pjetër Bogdanit me faksimile të origjinalit dhe transkriptim, është bërë nga Anila Omari (Tiranë, 2005). (Në fotografi: Portreti i Pjetër Bogdanit i përdorur në kartëmonedhën shqiptare.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 271.
Fotografia: © https://stock.adobe.com/fr/images/pjeter-bogdani-portrait-from-albania-1000-leke…
Përpunim grafik: AHCF




