Ramiz Alia

Lexo ngjarje:

Në Shkodër lindi Ramiz Alia, president i Shqipërisë në vitet 1991–1992, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (1986–1991), Kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë (1985–1988), pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Punës Socialiste. Kreu gjimnazin e Tiranës, ku u lidh me lëvizjen komuniste. Anëtar i Rinisë Komuniste Shqiptare që me themelimin e saj dhe anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare nga viti 1943. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kreu detyra të rëndësishme në udhëheqje të organizatës së Rinisë Komuniste, në sektorin politik të Brigadës VII Sulmuese dhe në Divizionin II Sulmues, komisar i Divizionit V Sulmues. Në Kongresin I të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare (1944) u zgjodh anëtar i Sekretariatit të Rinisë dhe në Kongresin e Unifikimit të Rinisë (1949) u zgjodh Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë. Në vitet 1951–1954 studioi në Shkollën e Lartë të Partisë në Moskë. Në vitet 1955–1958 ministër i Arsimit dhe i Kulturës; anëtar i Byrosë Politike; deputet i Kuvendit Popullor (1950–1990) dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982–1990). Pas vdekjes së Enver Hoxhës (1985), u zgjodh Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Nën drejtimin e tij u mblodh Kongresi IX i Partisë së Punës të Shqipërisë, i cilësuar prej tij si “Kongresi i vazhdimësisë”. Ndërmori disa hapa të pjesshëm për liberalizimin e jetës së vendit, për ndryshime në fushën e ekonomisë, të të drejtave të njeriut, në politikën e jashtme, për hapjen e Shqipërisë me botën etj. Këta hapa qenë të pamjaftueshëm e të vonuar dhe synonin reformimin e sistemit, por jo ndërrimin e tij. Nën presionin e lëvizjes studentore dhe të gjendjes së acaruar politike të brendshme e të jashtme, në dhjetor të vitit 1990 shpalli pluralizmin politik. Ndërkohë u përpoq që kalimi në sistemin demokratik të bëhej duke shmangur rrezikun e përplasjeve të ashpra të forcave politike. Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e para pluraliste (31 mars 1991) e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, që u fituan nga Partia Demokratike, dha dorëheqjen nga posti i presidentit dhe u tërhoq nga jeta politike. Në vitin 1993 u arrestua dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie për shpërdorime ekonomike. Pas një viti u lirua nga burgu, por u arrestua përsëri në vitin 1996, me akuzën për gjenocid. U lirua përfundimisht nga burgu pas trazirave të marsit 1997. Në vitet 1986–1990 u botuan shtatë vëllime të tij me titullin “Fjalime e biseda”: libra të tjerë të tij: “Enveri ynë” (1988), “Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë” (1992), “Shpresa dhe zhgënjime” (1993) etj. U nda nga jeta në vitin 2011. (Në fotografi: Ramiz Alia)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 53–54.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Ramiz_Alia

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img