Në Stamboll lindi Riza Alizoti, inxhinier, i biri i Fejzi Alizotit. Lindi në Stamboll, ku i ati kryente detyra me rëndësi në qeverinë turke. Pasi kreu në Stamboll “Robert College”, u kthye në Tiranë për të vazhduar mësimet në shkollën teknike “Harry Fultz”. Paskëtaj, me bursë të shtetit shqiptar, në vitin 1929 filloi studimet e larta për inxhinieri miniere në Camborne, Angli. Pas diplomimit më 1933, u specializua për shfrytëzimin e minierave në Strasburg. Me t’u kthyer në Shqipëri, u emërua me punë në puset vajgurore të Kuçovës. Në vitin 1943 u internua prej italianëve në Porto Romano, si pjesëmarrës në demonstratën e punëtorëve të Kuçovës. Me vendim të Këshillit të Ministrave, më 22 dhjetor 1945 u dekorua me Urdhrin e Punës, por pa kaluar as dy vjet, më 11 qershor 1947, u arrestua si sabotator. Më 27 shtator të po atij viti, Gjykata e Lartë Ushtarake e deklaroi fajtor si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit” dhe e dënoi me varje në litar, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike. U ekzekutua më 10 tetor 1947: u var në degët e një vidhi në sheshin e Kuçovës. (Në fotografi: Riza Alizoti në sallën e gjyqit, 1947.)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 107–108.
Fotografia: © https://www.radiandradi.com/rizai-nga-meri-lalaj/
Përpunim grafik: AHCF




