Në Korçë lindi Sotiraq Çili, aktor i suksesshëm i teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë dhe i Kinematografisë Shqiptare. Kreu studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve dhe për shumë vite ka qenë aktor i teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, institucion me të cilin ka dhënë edhe ai një pjesë kontributi në historinë e teatrit korçar. Por më shumë është i njohur në kinematografi, i aktivizuar në mjaft filma shqiptarë. E fillon me rolin e një oficeri gjerman në filmin “Prita” (1968) e më pas mund të përmendim, “Montatorja” (1970) – brigadieri i ndërtimit, “Flamur në dallgë” (1977) – koloneli Karar, “Një udhëtim i vështirë” (1977), “Hetimi vazhdon” (1977), “Tomka dhe shokët e tij” (1977) – Tomorri, “Gjeneral gramafoni” (1978), “Pas gjurmëve” (1978) – Guri, “Përtej mureve të gurta” (1979), “Karnavalet” (1979), “Kronikë e një nate” (1990) – Nikollaj etj. Sotiraq Çili ka pasur një lojë interpretuese të thjeshtë me një natyrshmëri që synon të zbulojë sjelljen organike të personazheve, ndonëse në momente turbullirash e mërish. U nda nga jeta në vitin 2017. (Në fotografi: Sotiraq Çili)
Teksti: https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/
Fotografia: © https://shendeti.com.al/ndahet-nga-jeta-aktori-sotiraq-cili/
Përpunim grafik: AHCF




