Në Shkodër lindi Tano Banushi (Athanas), aktor, Artist i Popullit. Lindi në Shkodër, në vitin 1927. Në vendlindje nisi veprimtarinë si aktor komik me rolin e të dehurit në dramën e Henrik Ibsenit “Armiku i popullit” (1945). Në vitin 1958, Tano Banushi është një ndër themeluesit e Teatrit të Estradës së Shkodrës dhe figura më përfaqësuese e tij. Ka luajtur në rreth 200 shfaqje, kryesisht në Estradën e Shkodrës, në komedi me një akt, në skeçe, parodi, kuplete, monologë etj., duke krijuar një profil të vetin si aktor komik i tipit popullor, me të folur e plastikë të veçantë. Ndër krijimet më të arrira është figura e Leos te komedia “Këshilli i ndrikullave” (1974) e Sheri Mitës. Tano Banushi ishte gjithashtu kupletist, këngëtar operete e parodist dhe autor pjesësh të shkurtra humoristike. Tano Banushi gjurmoi lëvizjen teatrore në Shkodër dhe krijoi një arkiv të pasur me të dhëna për të. U nda nga jeta në Shkodër, në vitin 1993. Është dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës” (pas vdekjes). (Në fotografi: Tano Banushi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 177.
Fotografia: © https://ata.gov.al/2021/02/04/tano-banushi-figura-emblematike-e-humorit-dhe-estrades-shqiptare/
Përpunim grafik: AHCF




