Në Bukuresht të Rumanisë u nda nga jeta Viktor Eftimiu, shkrimtar rumun me prejardhje shqiptare, akademik i Rumanisë. Lindi në Boboshticë të Korçës, në vitin 1889. Në vendlindje ndoqi shkollën në gjuhën greke; u vendos në Rumani në vitin 1897. Radhitet ndër përfaqësuesit më në zë të letërsisë rumune të shekullit XX. Megjithëse jetoi larg vendlindjes, Viktor Eftimiu i ruajti lidhjet shpirtërore me Shqipërinë. Në vitet ’20 të shekullit XX ishte kryetar i një shoqërie atdhetarësh në Bukuresht, që punonte për mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë si shtet i pavarur. Shkroi në këtë kohë, në përkrahje të interesave të Shqipërisë, edhe një varg artikujsh në shtypin e huaj. Erdhi në Shqipëri në vitin 1971, vizitoi vendlindjen dhe vlerësoi përparimet e vendit. Viktor Eftimiu shkroi një varg krijimesh me motive shqiptare: “Portrete dhe kujtime”, “Dy kryqe”, poemthin “Skënderbeu” dhe esenë “Folklor shqiptar”. Në gjuhën shqipe janë përkthyer disa vepra të tij, ndërsa disa të tjera janë vënë edhe në skenë. Viktor Eftimiu ka qenë anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit I. (Në fotografi: Viktor Eftimiu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 574.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Viktor_Eftimiu
Përpunim grafik: AHCF




