Visarion Xhuvani

Lexo ngjarje:

Në Elbasan lindi Visarion Xhuvani, kryetar i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH). Studimet e mesme dhe të larta për teologji i kreu në Athinë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Durrësit dhe anëtar i komisionit parlamentar të drejtësisë. Në shtator 1922 mori pjesë në Kongresin e Parë Panortodoks të Beratit, në të cilin u propozua për peshkop dhe u hirësua në maj 1925. Me nismën e tij, në shkurt 1929 u formua Sinodi i Shenjtë, që e zgjodhi kryetar të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe mitropolit të Durrësit e të Tiranës. Visarion Xhuvani konsolidoi strukturën e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke i dhënë asaj hierarkinë dhe fizionominë kombëtare. Ai caktoi peshkopë shqiptarë në dioqezat kishtare të Shqipërisë. Me kujdesin e tij u hap në Durrës kursi për përgatitjen e priftërinjve, i cili, më 1930, u kthye në seminar 4-vjeçar, u dërguan studentë në universitetet teologjike jashtë vendit dhe u krijua komisioni për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë në gjuhën shqipe. Për të kërkuar mbështetje për njohjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Visarion Xhuvani vizitoi Kishën e Rumanisë (1932), mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Botëror për miqësinë e popujve (Sofje, 1933), në Konferencën e Kishave të Ballkanit (Hercegovinë, 1935), në Mbledhjen e Përbotshme të Kishave (Montreux, 1935) etj. Më 1936, me kërkesën e Patrikanës u shkarkua nga detyra si kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në 1942 Visarion Xhuvani u zgjodh mitropolit i Beratit. Në qershor 1947 u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist. U lirua më 1962. Në vitin 1965 u internua në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Elbasan. U nda nga jeta më 15 dhjetor 1965. (Në fotografi: Visarion Xhuvani)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2961.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Visarion_Xhuvani

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img