Lindi në Korçë Ylli Pepo, gazetar, skenarist, regjisor dhe producent i Televizionit Shqiptar, Artist i merituar. I ardhur në Televizionin Shqiptar (janar, 1970) jo nga Instituti i Lartë i Arteve si shumica e regjisorëve, por nga Fakulteti i Histori-Filologjisë, hyri në rrugën e regjisë nga një “portë” tjetër: ajo e botës letrare dhe gazetareske. Është ky motivi që punët e tij të para janë filma dokumentarë që i kushtohen kulturës, artit, librit. Më pas, atë e tërheq bota e njerëzve të thjeshtë. Filmi i parë i këtij drejtimi, “Zërat e trenave”, vlerësuar me çmim të parë në Konkursin e parë të Gazetarisë më 1972, shënon edhe dokumentarin e parë të mirëfilltë televiziv shqiptar. Ylli Pepo ka qenë shef redaksie, nëndrejtor dhe udhëheqës artistik i Televizionit Shqiptar për vite të tëra, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe në Akademinë e Arteve për mediat elektronike. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë. (Në fotografi: Ylli Pepo)
Teksti: Kristaq Dhamo
Fotografia: © https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/regjisori-ylli-pepo-profil/
Përpunim grafik: AHCF




