Në Hoçisht të Korçës lindi Marigo Pozio, veprimtare e lëvizjes për çlirim kombëtar dhe përparim shoqëror. Më 1904, u vendos në Vlorë. Punoi për përhapjen dhe mbajtjen e shkollave shqipe për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare. Anëtare e klubit “Labëria”, më 1908. Mori pjesë në organizimin e orkestrës së klubit, ku u aktivizuan edhe dy vajzat e saj. U dallua për fjalimet me frymë patriotike përpara popullit dhe për artikujt e botuar në organe të shtypit shqiptar të mërgimit. Qëndisi flamurin që u ngrit ditën e Shpalljes së Pavarësisë dhe në shtëpinë e saj u shumëfishuan flamurët e tjerë që zbukuruan dritaret e shtëpive dhe qytetin. Veprimtare për organizimin dhe emancipimin e femrës. Bashkë me të bijën organizuan shoqërinë e parë të grave (1914) në qytetin e Vlorës. U vu në krye të komisionit për mbledhjen e ndihmave për luftëtarët dhe për muhaxhirët e krahinave jugore të pushtuara nga trupat greke, më 1914. Më 1921, riorganizoi shoqërinë e grave “Shpresa kombëtare” në Vlorë; drejtoi gazetën e saj me të njëjtin emër, në të cilën botoi artikuj për zhvillimin dhe emancipimin e femrës. Vdiq në Tiranë, më 23 shkurt 1932. (Në fotografi: Marigo Pozio)
Teksti: Albanian encyclopedic dictionary – Vol. 3 , Academy of Sciences of Albania, “Kristalina-KH”, Tirana, 2009, page 2077.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Marigo_Pozio
Përpunimi grafik: AHCF




