Në malin e Jushit të Shkodrës lindi Dom Dedë Maçaj, klerik, martir i Kishës Katolike. Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse të lartat për teologji i kreu në Romë. U shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendësfamullitar i Shkodrës. Pasi shërbeu si meshtar për rreth tre vjet, në vitin 1947 u dërgua për të kryer shërbimin ushtarak në Përmet. Gjatë shërbimit ushtarak, arrestohet më 10 mars 1947 si spiun i Vatikanit. Pas torturave çnjerëzore, u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet, përpara ushtarëve të regjimentit dhe i shkelur prej fanatikëve, derisa dha shpirt nën këmbët e tyre. U shpall martir i Kishës nga Papa Françesku, në prill të vitit 2016. (Në fotografi: Dedë Maçaj)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 156.
Fotografia: © https://kishakatolikeshkoder.com/dom-dede-macaj/
Përpunim grafik: AHCF




