U nda nga jeta poeti, prozatori, publicisti dhe politikani Dritëro Agolli. Lindi në Menkulas të Devollit, ku mori dhe mësimet e para. Vijoi edukimin në Gjirokastër e më pas u zhvendos drejt Shën Petërburgut, për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Arteve. Që prej vitit 1973, Agolli ka qenë kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Për vite me radhë ka ushtruar profesionin e gazetarit në të përditshmen “Zëri i Popullit” dhe për disa legjislatura ka shërbyer si deputet. Krijimtaria letrare që ai la pas, përfshin disa gjini, si: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Vepra e tij poetike më e shquar është “Nënë Shqipëri” (1975), ku përvijohen traditat heroike të vendit. Në këto tone ka shkruar romanin “Komisari Memo” (1969), si edhe një sërë vjershash dhe poemash, në të cilat pasqyrohet fryma heroike e periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare. Mes krijimeve të tij satirike, romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) veçohet për një kontribut letrar të pamohueshëm. Në këtë kronikë të karrierës së palavdishme të një zyrtari, Agolli ironizon skematizmin dhe konformizmin e burokratëve. U nda nga jeta në moshën 85-vjeçare pas një sëmundjeje kronike në mushkëri. (Në fotografi: Dritëro Agolli; Partitura e këngës së titulluar “Kush më njeh mua”, prezantuar në Festivalin e 11-të të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, me tekst të përgatitur prej Agollit.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 16–17.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




