Në Elbasan lindi Aleksandër Xhuvani, gjuhëtar, personalitet i arsimit dhe i kulturës shqiptare, veprimtar shoqëror e politik, Mësues i Popullit. Në vendlindje mori mësimet e para. Studimet e larta filologjike i kreu në Universitetin e Athinës. Punoi në shkollën e parë të mesme kombëtare, në Normalen e Elbasanit (dhjetor 1909), si mësues dhe si drejtor i saj (1913–1914, 1917–1920, 1922–1929, 1933–1938). Kreu një punë të madhe e të vlefshme për krijimin dhe pasurimin e letërsisë mësimore, pajisi shkollën me një tog tekstesh, të gjuhës, të letërsisë, të shkrimeve pedagogjike etj. Luftoi për një shkollë kombëtare e laike, për përmirësimin e vijueshëm dhe ngritjen e mëtejshme të saj. Pas Luftës së Dytë Botërore, qe anëtar i Asamblesë Kushtetuese (dhjetor 1945), deputet i Kuvendit Popullor në disa legjislatura dhe nënkryetar i Presidiumit të tij për shumë vjet, deri në fund të jetës. Aleksandër Xhuvani dha një ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit (1946–1951), për organizimin dhe drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të gjuhës e të letërsisë të Institutit të Studimeve, të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947 – shtator 1953) dhe si anëtar i presidiumit të tij (1947–1957).Veprimtaria e tij shkencore u përqendrua në fushën e gjuhësisë: njësimi i gjuhës letrare dhe pastërtia e gjuhës, gramatikë, leksikologji e leksikografi, fjalëformim etj. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1948, 1951, 1954, 1956), që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimit të shqipes më vonë. Kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë shqipe të mjaft degëve të dijes, të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike etj. Aleksandër Xhuvani qe njohësi më i mirë i visarit leksikor të gjuhës shqipe. Mblodhi me durim e pasion nga goja e popullit shumë fjalë e shprehje, të cilat u përpunuan pas vdekjes së tij në formën e një fjalori dhe u botuan për 20 vjet në revistën “Studime filologjike” (1971–1990). Aleksandër Xhuvani përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kostandin Kristoforidhit, të transkriptuar në alfabetin e sotëm, duke i dhënë kësaj vepre një jetë të re. Aleksandër Xhuvani ka hartuar dhe një varg tekstesh shkollore për sintaksën, për historinë e letërsisë shqipe, për letërsinë klasike greke, për stilistikën, për letërsinë e vjetër dhe arbëreshe etj. (Në fotografi: Aleksandër Xhuvani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2959–2960.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Aleksand%C3%ABr_Xhuvani
Përpunim grafik: AHCF




