Në Progonat të Kurveleshit lindi Asim Zeneli, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Student në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë në Romë, protestoi kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, organizoi një demonstratë antifashiste në shkollë dhe për këtë u arrestua (1939). U kthye në atdhe nga fundi i vitit 1941 dhe hyri në lidhje me komunistët në qarkun e Elbasanit. Bëri një punë të madhe, veçanërisht në radhët e ushtrisë së vjetër shqiptare, për dezertimin dhe shthurjen e radhëve të saj. Hyri në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në prill 1943, u pranua anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare dhe u caktua komisar politik i çetës “Hajredin Tremishti”. Ra duke luftuar kundër forcave të shumta fashiste në grykën e Mezhgoranit. Busti i Asim Zenelit është vendosur në qytetin e Tepelenës. Emrin e tij e mbajnë shkolla etj. (Në fotografi: Asim Zeneli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2985.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




