Bajram Curri

Lexo ngjarje:

Në një shpellë në Dragobi ku qe strehuar gjatë dimrit, u rrethua dhe u vra Bajram Curri, veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, një ndër udhëheqësit politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit. Lindi në Gjakovë. U brumos me idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), u vu në krye të qëndresës së armatosur në Kosovë, ishte një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899–1900) dhe të veprimtarisë së saj për autonominë e Shqipërisë, si dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Ndihmoi në themelimin e klubeve e të shkollave shqipe në Kosovë, qe nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908, përkrahu thirrjen e Kongresit të Manastirit më 1908 dhe mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në atë Kongres. Ishte drejtues i veprimeve luftarake gjatë Kryengritjes së Kosovës të vitet 1910 dhe në krye të forcave kryengritëse u bëri qëndresë të fortë ushtrive osmane në Qafën e Morinës (Tropojë). Ishte një ndër udhëheqësit e organizatorët e Kryengritjes së përgjithshme kundërosmane të vitet 1912. Në maj të vitit 1912, mori pjesë në veprimet luftarake të kryengritjes së përgjithshme, ku u shqua si komandant i talentuar popullor. Me forcat kryengritëse theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit dhe në beteja të tjera në Rrafshin e Dukagjinit. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin e Idriz Seferin në krye të forcave kryengritëse, hyri në Shkup, duke çliruar nga zgjedha osmane gjithë vilajetin e Kosovës (gusht 1912). Pas vitit 1912, luftoi në Kosovë për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës, më 1913, që shkëputën Kosovën e treva të tjera shqiptare lindore e jugore nga shteti i shqiptar. Ishte një nga organizatorët e Kryengritjes antiserbe të shtatorit 1913 për çlirimin e Kosovës e të trevave të tjera shqiptare nga robëria serbo-malazeze dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë e Pavarur. Në Kongresin e Lushnjës (1920) u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë së Sulejman Delvinës. Në dhjetor 1921, u caktua Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura në qeverinë e Hasan Prishtinës. Ndihmoi Lëvizjen Nacionalçlirimtare (kaçake) në Kosovë, krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës, që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar. Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike në Shqipëri, që shpartalluan repartet qeveritare dhe i hapën rrugën fitores së Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924. Në vjeshtën e vitit 1924, shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës, që vuante nën pushtetin serb. E vazhdoi qëndresën kundër regjimit të Ahmet Zogut edhe pas shtypjes së Revolucionit të vitit 1924. U rrethua në një shpellë në Dragobi, ku qe strehuar gjatë dimrit dhe u vra më 1925. (Në fotografi: Bajram Curri)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 367–368.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Bajram_Curri

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img