Më 18–20 prill 1881, u zhvillua Beteja e Shtimes dhe Slivovës, beteja më e rëndësishme që ushtria e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit zhvilloi kundër ushtrive osmane. Afër 4000 vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të armatës së Dervish Pashës, me rreth 15000 ushtarë e oficerë të pajisur me armatimin më të mirë të kohës. Forcat osmane morën Shkupin në fund të marsit dhe marshuan drejt Ferizajt për të nënshtruar Fushë Kosovën. Forcat shqiptare me Mic Sokolin dhe Ali Ibrën zunë vend afër Shtimes, ndërsa një pjesë tjetër pranë fshatit Slivovë. Luftëtarët e Lidhjes i thyen më se një herë sulmet e ushtrisë osmane dhe kundërsulmuan disa herë. Në një nga këto kundërsulme Mic Sokoli bllokoi me trupin e tij një grykë topi të armikut. Më 21 prill, shqiptarët, për shkak të epërsisë së armikut, u tërhoqën. Më 22 dhe 23 prill ata zhvilluan ndeshje në Dukël dhe Suharekë, për të penguar ushtrinë osmane të hynte në Prizren. Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës. (Në fotografi: Shtimja e viteve ’50.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 232.
Fotografia: © http://shtimepress.com/
Përpunim grafik: AHCF




