Në Austri, u nda nga jeta Eqrem Vlora, veprimtar politik, diplomat. Lindi në Vlorë. Kreu liceun “Theresianum” në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. Shërbeu në poste me rëndësi në Perandorinë Osmane. Më vonë, u bashkua me xhaxhanë e tij, Ismal Qemal Vlorën, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë, u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë. Ai ishte një mbështetës i njohur i Fuqive Qendrore gjatë Luftës së Parë Botërore, arsye për të cilën ai u arrestua nga italianët, por më pas u bë një promotor i marrëdhënieve të ngushta midis Italisë dhe Shqipërisë. Në vitin 1924, zgjidhet deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese dhe më 1925, u zgjodh senator. Ai ka shërbyer në misione të ndryshme diplomatike. Në vitin 1928, u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e më 1930, në Athinë. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme (1933) dhe deputet i Vlorës (1937). Në vitin 1942, në qeverinë e Mustafa Krujës emërohet ministër i Tokave të Lirueme (territoret etnike shqiptare të ish-Mbretërisë Jugosllave, që iu bashkuan Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore). Në kabinetin e qeverisë së Fiqri Dines (1944) mbajti postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, emigroi në Itali e më pas në Austri. Eqrem Vlora ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore e etnografike, si: “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Tiranë 2003), “I dolori del popolo Albanese” (“Dhembjet e popullit shqiptar), “Lebenserinnerungen” I, II, Munih 1968, (“Kujtime”, I, II, Tiranë 2001) etj. Vdiq më 30 mars 1964, në Austri. Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes, eshtrat e Eqrem Vlorës kthehen në Shqipëri, duke përmbushur kështu amanetin e tij për t’u prehur në atdhe. (Në fotografi: Eqrem Vlora)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2899.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Eqrem_Vlora
Përpunim grafik: AHCF




