Ibrahim Temo

Lexo ngjarje:

Në Strugë, në një familje me origjinë nga Mati, lindi Ibrahim Temo, veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, kurse shkollën e mesme dhe studimet e larta i kreu për mjekësi, në Stamboll. Qe një nga nismëtarët dhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare të “Turqve të Rinj” kundër regjimit despotik të sulltan Abdyl Hamitit II. Bashkë me tre shokë, formoi në Stamboll, më 1889, komitetin e parë xhonturk me emrin “Bashkim dhe përparim” (“Ittihad ve Terakki”). Ibrahim Temo u burgos për veprimtarinë e tij revolucionare dhe më pas u dënua me vdekje (në mungesë) nga qeveria osmane. I ndjekur nga sulltani, u detyrua të largohej në Rumani (1895), ku vazhdoi të punojë në të mirë të lëvizjes së Turqve të Rinj dhe sidomos të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U shqua si veprimtar i shoqërive patriotike shqiptare të Rumanisë, ku dha një ndihmesë të madhe në luftën për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane. Mori pjesë në hartimin e peticioneve e të memorandumeve dërguar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha nga shoqëritë shqiptare të Rumanisë dhe kolonitë e tjera të mërgimit më 1896–1906, në të cilat kërkohej autonomia e Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë së trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit. Pas shpalljes së kushtetutës më 1908, iu kundërvu politikës antishqiptare shkombëtarizuese të Xhonturqve dhe hyri në konflikt me ta. Pas Shpalljes së Pavarësisë, u vu në mbrojtje të shtetit shqiptar. Së bashku me atdhetarë të tjerë të kolonisë shqiptare të Rumanisë, u drejtoi Fuqive të Mëdha një varg protestash për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar dhe të tërësisë së trojeve të tij kundër lakmive të shteteve fqinje. Më 1914, erdhi në Shqipëri si mjek në krye të një ekipi sanitar, për të luftuar malarien. Si i dërguar i shqiptarëve të Rumanisë, mbrojti me forcë çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris (1919). (Në fotografi: Ibrahim Temo)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2675-2676.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Ibrahim_Temo

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Petrika Riza

Lindi në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës Petrika Riza, aktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img