Më 14 prill 1926, në Elbasan lindi Maksen Bungo, shkrimtar. Në vendlindje kreu shkollën Normale dhe Institutin e Lartë Pedagogjik, Fakultetin Gjuhë-Letërsi. U arrestua në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për “krime kundër shtetit” dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe konfiskimin e pasurisë. Më 26 shkurt 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. U lirua në vitin 1950. Punoi si mësues në disa zona të thella, pasi doli nga burgu. Me rënien e regjimit komunist, botoi disa vepra: “Këneta e vdekjes” (roman, 1996), “Abaz Kupi” (monografi, 2001), “Nëna Kosovare” (poemë, 2003), “Gruaja me të zeza” (tregime, 2008), “Rrugëtim me psherëtima” (roman, 2009). (Në fotografi: Maksen Bungo)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2011, faqe 211.
Fotografia: © Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”
Përpunim grafik: AHCF




