Më 6 prill 1938, në Kaspa të Aragonës u vra Ramiz Varvarica (1900–1938), veprimtar i lëvizjes demokratike, pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, Hero i Popullit. Lindi në qytetin e Dibrës. Në moshë të re punoi si çirak. Në vitet 1919–1920 shërbeu në milicinë shqiptare dhe mori pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës (1920) e të qeverisë së kryesuar nga Sulejman Delvina. Më 1921, i radhitur te forcat e Bajram Currit, së bashku me forcat dibrane luftoi kundër ushtrisë jugosllave, që kishte hyrë në krahinat lindore. U aktivizua në lëvizjen demokratike, mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit të vitit 1924 dhe luftoi për realizimin e programit të tij, si anëtar i Shoqërisë “Bashkimi”. Pas dështimit të Revolucionit shkoi në mërgim, në fillim në Itali e pastaj në Francë, ku jetoi e punoi në vitet 1925–1936. U aktivizua në lëvizjen punëtore franceze dhe bashkëpunoi me emigrantë revolucionarë shqiptarë. Më 1936 mori pjesë si vullnetar në luftën e Spanjës. Atje u ngarkua me detyra me përgjegjësi dhe u shqua për trimëri. (Në fotografi: Ramiz Varvarica)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2856.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




