Në Vranisht të Vlorës lindi Sali (Vranishti) Murati, atdhetar demokrat e luftëtar kundër pushtuesve osmanë e italianë, komandant çetash, Hero i Popullit. Për veprimtarinë e tij atdhetare u përndoq, u arrestua dhe u dënua me burgim të rëndë. Mundi të arratisej nga kalaja e Janinës, ku vuante dënimin. Çeta e tij në vitet 1908–1909 kreu disa aksione kundër postave osmane në Shushicë, Armen e gjetkë dhe në gusht të vitit 1912, ajo hapi burgun e Vlorës. Qeveria e Ismail Qemal Vlorës (1912) e caktoi komandant të sigurimit publik. Si i tillë, kreu detyra të rëndësishme për mbajtjen e qetësisë së vendit, luftoi kundër shovinistëve grekë që kishin depërtuar në krahinat jugore të vendit, dhe sidomos në pellgun e Delvinës, kundër lëvizjes separatiste të kryesuar nga Spiro Milo dhe, bashkë me Çerçiz Topullin, çliruan Kalanë e Borshit. Mori pjesë në Luftën e Vlorës (1920), në krye të çetave të Rrëzës prej 250 vetash; u plagos në luftimet e zhvilluara në Kaninë. Mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe komandoi një batalion. Plagët e luftës i shkaktuan vdekjen, më 1926. (Në fotografi: Sali Murati)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1777–1778.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




