Në Egjipt, u nda nga jeta Thimi Kostë Mitko, veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, folklorist. Lindi në Korçë. Për një kohë punoi në vendlindje. Më pas u hodh në mërgim, në Manastir, Athinë, Filipopoli, Vjenë dhe, që nga viti 1859, jetoi në Egjipt. Zhvilloi veprimtari patriotike të gjithanshme, në bashkëpunim me ideologë të Rilindjes, si Abdyl Frashërin, Kostandin Kristoforidhin, Jeronim de Radën etj.; ishte figura kryesore e kolonisë shqiptare të Egjiptit dhe ndërmori udhëtime nëpër shoqëritë e kolonive shqiptare. Shkroi artikuj në shtypin e kohës: në “Zërin e Shqipërisë” të Anastas Kulluriotit, në “Fiamurin e Arbërit” të Jeronim de Radës, në revistën ndërkombëtare të Kluzhit (Rumani) “Acta comparationis litterarum universarum”, ku bënte pjesë në grupin e redaksisë. Mbajti letërkëmbim të gjerë me patriotë brenda dhe jashtë atdheut, si edhe me personalitete politike e kulturore, me Dora d’Istrian, Gustav Majerin, Jan U. Jarnikun, Françesko Krispin etj. Në shkrimet e tij mishërohen idetë patriotike të Rilindjes: thirrja për bashkim, lartësimi i traditave të kombit, arsimi në gjuhën amtare, kushtrimi luftarak kundër pushtuesve të huaj. Thimi Mitko u shqua sidomos si folklorist. Ai mblodhi pasuri të folklorit shqiptar nga krahinat e Jugut e të Veriut, por edhe nga arbëreshët e Italisë e nga arbëreshët e Greqisë, të cilat mundi t’i botojë, më 1878, në vëllimin “Bleta shqiptare”. (Në fotografi: Thimi Mitko)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1741-1742.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Thimi_Mitko
Përpunim grafik: AHCF




