Më 4 prill 1949 u nënshkrua në Uashington traktati për krijimin e NATO-s (North Atlantic Treaty Organization – Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior), organizatë politike-ushtarake e vendeve të Evropës dhe të Amerikës Veriore. Traktati u nënshkrua nga Belgjika, Danimarka, Franca, Holanda, Islanda, Italia, Kanadaja, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës; më pas u përfshinë Greqia dhe Turqia (18 shkurt 1952), Gjermania (5 maj 1955), Spanja (30 maj 1982), Çekia, Hungaria dhe Polonia (4 prill 1999); më vonë Estonia, Lituania, Letonia, Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Sllovenia. NATO u formua për të siguruar mbrojtjen kolektive të vendeve sovrane të Evropës dhe të Amerikës Veriore, të përfshira në të. Struktura politike-ushtarake e NATO-s merr parasysh sovranitetin e pakufizuar të vendeve anëtare. Vendimet merren mbi bazën e konsensusit të plotë të të gjitha vendeve anëtare. Puna e Këshillit të Atlantikut Verior dhe e komiteteve vartëse mbështetet nga një shtab ndërkombëtar. Shqipëria ishte ndër vendet e para që nënshkroi Dokumentin Themelor të programit të Partneritetit për Paqen, më 23 shkurt 1994. Në prill 1994, Parlamenti shqiptar ratifikoi Dokumentin Themelor; në shtator 1994, paraqiti në NATO dokumentin e Prezantimit të Shqipërisë në programin e Partneritetit për Paqen. Me përfshirjen e Shqipërisë në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO, tashmë vendi ynë është futur në rrugën e integrimit në Aleancën Euroatlantike. Në Samitin e NATO-s, në Bukuresht, më 03.04.2008, Shqipëria mori ftesën për në NATO, duke nënshkruar protokollin e pranimit në korrik të vitit 2008. (Në fotografi: Krijimi i strukturës politike-ushtarake e NATO-s)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1810–1811.
Fotografia: © https://shape.nato.int/page14612223
Përpunim grafik: AHCF




