Në Athinë u nda nga jeta Jani Vreto, mendimtar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Lindi në vitin 1822. Qysh më 1847, kur ndiqte gjimnazin “Zosimea” të Janinës, shkroi poemën “Historia e Skënderbeut” dhe filloi të interesohej për gjuhën shqipe dhe për çështjen kombëtare. Më 1854, u vendos në Stamboll. Mblodhi material për një fjalor të shqipes dhe shkrime të hershme shqipe, këngë popullore e fjalë të urta, krijoi dhe përdori një alfabet origjinal. Bashkëpunoi me Naum Veqilharxhin, Jeronim de Radën, Thimi Mitkon etj. Më 1864 mori pjesë, së bashku me Ismail Qemal Vlorën, Hasan Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën, Sami Frashërin etj., në mbledhjet e para për caktimin e alfabetit të shqipes, për hartimin e botimin e librave në gjuhën shqipe. Më 1879, mori pjesë në komisionin që hartoi alfabetin e Stambollit. Së bashku me Naim e Sami Frashërin shkruan abetaren e parë me alfabetin e ri dhe drejtuan botimin e revistës “Drita”, që më pas u quajt “Dituria”. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, iu nënshtrua përndjekjeve politike dhe u detyrua të largohej nga Turqia. Shkoi në Egjipt e në Rumani, ku organizoi degët e Shoqërisë së Shkronjave. Me nismën e tij dhe me ndihmën e atdhetarëve të Rumanisë, u ngrit shtypshkronja dhe filloi botimi i shumë librave shqip (abetare, libra leximi, poezi etj.), që u përhapën në shkolla e në rrethet atdhetare në Shqipëri. Jani Vreto u kujdes për botimin e “Shkronjëtores së gjuhësë shqip” të Sami Frashërit, të librave të Naim Frashërit “Vjersha për mësonjëtoret e para” dhe “Bagëti e bujqësia” e të shumë librave të tjerë. Jani Vreto botoi një varg librash e artikujsh: “Apologjia” (1878), “Për të vërtetën dhe për të shkruarit e së vërtetës” (1883), “Mirëvetija” (1886), “Udhë (histori) e të shkruarit të gjuhës shqip” etj. Jani Vreto besonte në fuqinë njohëse të njeriut dhe, në frymën e iluminizmit, pranonte se shkencat e ndihmojnë përparimin e shoqërisë. U kushtoi vëmendje të veçantë problemeve të zhvillimit shoqëror. Në veprën “Mirëvetija” (etika), parashtroi idetë e tij etike, që lidheshin ngushtë me detyrat e çlirimit kombëtar. Në pjesën e parë të këtij libri shtroi çështje të formimit botëkuptimor e morale të njeriut dhe të qëndrimit ndaj besimeve fetare. Ai ishte tolerant ndaj çdo besimi dhe shprehej kundër fanatizmit, armiqësisë dhe përçarjes fetare. (Në fotografi: Jani Vreto)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2920–2921.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Jani_Vreto
Përpunim grafik: AHCF




