Në burgun e Dubravës u ekzekutua nga forcat serbe Enver Topalli, veprimtar, i burgosur politik, dëshmor. Lindi në fshatin Greme-Topojan të Ferizajt. Kreu shkollimin e mesëm në Ferizaj, studimet për ekonomi i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës. Më 1979 u arrestua për veprimtari ilegale. Në vitin 1982 emigroi në Zvicër. Në Byl të Friburgut (Zvicër) themeloi klubin “Shotë Galica”. Në vitin 1983 u kthye në Kosovë, u arrestua për herë të dytë, më pas u lirua, por u arrestua prapë për herë të tretë më 1984 dhe me akuzën “bashkim për veprimtari armiqësore” u dënua me 14 vjet burg. Pas amnistisë, u lirua nga burgu në korrik të vitit 1991. U bë anëtar aktiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (1991) dhe i Kryesisë së degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Ferizaj. Në zgjedhjet e majit të vitit 1992, të organizuara nga LDK-ja, u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës. Më 25 qershor 1998 u arrestua nga policia serbe për veprimtari në lidhje me organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u dënua me 15 vjet burg. Më 19 maj u ekzekutua nga forcat serbe. (Në fotografi: Enver Topalli)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1669.
Fotografia: © https://www.janinapress.com/
Përpunim grafik: AHCF




