U vra me atentat nga Avni Rustemi, në Paris, Esat pashë Toptani, veprimtar politik që punoi kundër interesave kombëtarë. Esat pashë Toptani lindi në Tiranë, më 1863. Si komandant i forcave rezerviste të Shqipërisë së Mesme që luftonin për mbrojtjen e Shkodrës (1912–1913), pas vrasjes pabesisht të komandantit Hasan Riza, të organizuar prej tij, në prill 1913 ua dorëzoi qytetin forcave malazeze. U emërua ministër në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (korrik-gusht 1913). Më 12 tetor 1913, Esat Toptani ngriti në Durrës Pleqësinë dhe iu kundërvu Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Në vitin 1914, kryesoi delegacionin që shkoi në Gjermani për t’i ofruar Vilhelm Vidit fronin e Shqipërisë. Duke qenë ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme në qeverinë e Vilhelm Vidit, sabotoi qëndresën dhe luftën popullore për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga forcat greke dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Në maj 1914 u largua në Itali, nën trysninë e qeverisë së Vilhelm Vidit dhe të forcave demokratike. Pas kthimit në Shqipëri, në tetor 1914, vendosi pushtetin vetjak në Durrës. Në nëntor 1914 u përball me kryengritjen që nisi kundër tij. I rrethuar në Durrës prej kryengritësve, për afro shtatë muaj, shpëtoi falë ndërhyrjes së ushtrisë serbe që pushtoi Shqipërinë e Mesme. Në verë të vitit 1915 nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e Beogradit, në dëm të pavarësisë politike dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Prej vitit 1916, Esat Toptani e vijoi veprimtarinë politike në mërgim, duke u vetëshpallur si përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919). U vra me atentat, më 1920. (Në fotografi: Esat pashë Toptani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2728–2729.
Fotografia: © http://www.albanianhistory.net/1919_Toptani/index.html
Përpunim grafik: AHCF




