16-28 Korrik. U zhvilluan “Luftimet e Jezercit”, luftime të forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe të zhvilluara kur propaganda serbe përpiqej të bindte opinionin e brendshëm e të jashtëm për shkatërrimin e saj. Në Luftimet e Jezercit u realizua lidhja territoriale e njësiteve të Nënzonës Operative të Nerodimes me njësitet e Nënzonës së Drenicës dhe të Nënzonës së Pashtrikut. Njësitet e Ferizajt, në mesnatën e 17–18 korrikut morën nën kontroll fshatin Jezerc. Luftimet ishin të ashpra dhe vazhduan deri në fund të muajit gusht. Për pushtimin e Jezercit ushtria serbe angazhoi afro 15 000 ushtarë, mjete të blinduara e forca ajrore. Operacioni u organizua në formë rrethore dhe parashikonte gjuajtje me artileri të fshatit, të pozitave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rraskapitje të luftëtarëve të saj. Në mbrojtje të Jezercit luftuan 300 ushtarë të njësiteve të Kaçanikut, Ferizajt dhe Shtimes. Më 28 shtator komanda dha urdhër për tërheqje. U formuan njësite të vogla ushtarake për ta çarë rrethimin, me qëllim që të shpëtohej popullata dhe të ruhej struktura ushtarake. Trimëria dhe qëndresa e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e jashtëzakonshme. (Në fotografi: Pamje nga fshati Jezerc.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1560.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Jezerca_%28Ferizaj%29
Përpunim grafik: AHCF




