Në Tiranë lindi Spartak Ngjela, avokat, politikan, Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, deputet. Kreu Universitetin e Tiranës, dega juridik, më 1970. Pas kryerjes së studimeve, punoi në Zyrën e Ndihmës Juridike, në Vlorë (1970). Dy vite më vonë filloi punë në Prokurorinë e Rrethit të Durrësit, kurse më 1973 si punonjës shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë. U arrestua më 1976 dhe, me vendim nr. 184, datë 31 mars 1976, Gjykata e Rrethit të Tiranës e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. Me vendim nr. 51, datë 23 mars 1979, Gjykata e Rrethit të Fierit e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në aplikim të nenit 36 të Kodit Penal, u dënua me 13 vjet heqje lirie, duke filluar nga data 23 mars 1979, dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. U lirua më 1990. Prej vitit 1991 e deri më 1997, kur u zgjodh ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (11.03.1997-25.07.1997), ushtroi profesionin e avokatit. Mes viteve 2001–2003 qe nënkryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Nga shtatori i vitit 2005 gjer më prill 2006 ishte Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Më 12 dhjetor 2008 themeloi partinë “Ligj dhe Drejtësi”. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Legjislaturën XVI (2001–2005) dhe XVII (2005–2009). (Në fotografi: Spartak Ngjela)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2017, faqe 95.
Fotografia: © https://opinion.al/
Përpunim grafik: AHCF




