Në Torino (Itali) u nda nga jeta Feim Ibrahimi, kompozitor, Artist i Popullit. Lindi në Gjirokastër, në vitin 1935. U diplomua në Konservatorin Shtetëror të Tiranës (1966). Pedagog në Institutin e Lartë të Arteve (1966–1977) dhe zv.drejtor (1973–1977), sekretar për muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve (1977–1991), drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit (1991–1993), pedagog në Konservatorin e Tiranës. Kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, që nga lirikat vokale, muzika e dhomës e deri në muzikën skenike. Disa nga krijimet e tij të viteve ’70 të shekullit XX, si Koncertet nr. 1 e 2 për piano dhe orkestër, u karakterizuan nga prirje të qarta për pasurimin e gjuhës muzikore me mjete të reja bashkëkohore, që u shprehën më tej në veprat e krijuara në vitet ’90 të shekullit XX. Në vitin 1990, Feim Ibrahimi themeloi Komitetin Kombëtar të Muzikës, të cilin e drejtoi për katër vjet. Një pjesë e mirë e veprave të tij janë luajtur edhe jashtë vendit. Ka fituar disa çmime të rëndësishme kombëtare dhe Çmimin e Republikës të Shkallës së Tretë e të Dytë. (Në fotografi: Feim Ibrahimi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 969–970.
Fotografia: © https://www.teksteshqip.com/feim-ibrahimi
Përpunim grafik: AHCF




