Anselmo Lorekio

Lexo ngjarje:

Në Puhëriu (it. Pallagario) të Kalabrisë lindi Anselmo Lorekio (Lorecchio), publicist arbëresh. U shqua si veprimtar i lëvizjes kulturore e politike të arbëreshëve të Italisë. Pasi mbaroi studimet e larta për jurisprudencë në Napoli, punoi si sekretar krahinor i Katanzaros. Mori pjesë në Kongresin Gjuhësor Arbëresh në Koriliano-Kalabro, më 1895, ku u zgjodh edhe sekretar i Shoqërisë Kombëtare Shqiptare që u themelua atje. Më 1897 kryesoi Kongresin Gjuhësor në Ungër (Lungro) të Kalabrisë. Është autor i një varg artikujsh dhe i disa studimeve për çështjen kombëtare shqiptare, ku është shprehur për vendosjen e marrëdhënieve të gjithanshme italo-shqiptare. U bë i njohur si drejtor i gazetës së përdyjavshme “La nazione albanese” (1897–1924) (“Kombi shqiptar”), e cila i bëri jehonë të gjerë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ndonëse botoi në atë gazetë shkrime për autonominë e pavarësinë e Shqipërisë, përgjithësisht përkrahu politikën e Romës për forcimin e ndikimit politik dhe ekonomik italian në Shqipëri. Anselmo Lorekio ishte nismëtar për përkthimin dhe botimin italisht të veprës së Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhetë” dhe i “Historisë së jetës dhe bëmave të Skënderbeut” të Marin Barletit. Është autor i biografive të figurave të njohura të botës arbëreshe. Anselmo Lorekio përkrahu idenë e origjinës pellazgjike të shqiptarëve. Më 2 mars 1922, Anselmo Lorekio, me propozim të Fan Nolit u caktua përfaqësues i shtetit shqiptar pranë Selisë së Shenjtë. U nda nga jeta në Romë, në vitin 1924. Me vdekjen e tij u mbyll edhe gazeta “La nazione albanese”. Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë ruhet i gjithë koleksioni prej 27 vëllimesh i asaj gazete. (Në fotografi: Anselmo Lorekio)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1536–1537.

Fotografia: © https://it.wikipedia.org/wiki/Anselmo_Lorecchio

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Ndrek Shkjezi

Lindi në Shkodër Ndrek Shkjezi, aktor, Artist i merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img