Beteja e Lumës

Lexo ngjarje:

15 – 18 nëntor 1912

U zhvillua “Beteja e Lumës”, betejë e malësorëve të Lumës dhe të rrethinave të saj kundër ushtrisë pushtuese serbe, e cila pas shpërthimit të Luftës Ballkanike u dynd në tokat shqiptare për pushtimin dhe aneksimin e tyre nga Serbia. Armatat serbe sulmuan në mesin e tetorit 1912 në disa drejtime: thyen ushtrinë turke në Kumanovë (22–24 tetor) dhe qëndresën e shqiptarëve në Carralevë e Duhle (26 tetor), ku mbetën të vrarë edhe mjaft lumjanë, pushtuan Rrafshin e Dukagjinit, krijuan “zonën operative të Kosovës” dhe një repart special për të pushtuar malësitë e Lumës, Hasit, Opojës e Gorës. Dy kolona të divizioneve, “Drina” e “Shumadija”, iu drejtuan bregdetit shqiptar dhe një tjetër u nis kundër Lumes (9 nëntor), me qëllim që të çarmatoste popullsinë, të thyente çdo qëndresë dhe të siguronte “njësitë e bregdetit” nga krahu lindor. Ushtritë serbe ndeshën në qëndresën e lumjanëve e të krahinave të tjera të vendit. Lumjanët, të ndihmuar nga Isa Boletini e Elez Isufi me forcat dibrane, u përfshinë tërësisht në këtë betejë. Mbi 2000 luftëtarë vullnetarë, të pajisur edhe me dy topa, u vendosën në formë gjysmërrethi në vijën mbrojtëse Koritnik-Gjalicë-Qafa e Kolesjanit-Drini i Zi. Edhe pse më të paktë në numër se forcat serbe dhe me armë të vjetra (shumëkush me sëpata, kmesa, kosa), lumjanët dhe popullsia e krahinave fqinje e goditën armikun në Qafë të Kolesjanit, në Sheje të Bicajt, në Zborr të Nangëve, në Gostil, te Bota e Kuqe, në luginën e lumit Luma, tek Uki i Vjerrë, në Bardhoc deri në Zhurë. Gjatë katër ditë luftimesh (15–18 nëntor) vullnetarët lumjanë i shkaktuan armikut humbje të mëdha në njerëz e materiale dhe i detyruan aradhet serbe të tërhiqen të shpartalluara e të rraskapitura nga territori i Lumës. Në luftimet me pushtuesit serbë ranë edhe mjaft luftëtarë lumjanë: nga Qafa e Kolesjanit e deri në portat e Prizrenit u vranë mbi dyqind lumjanë. (Në fotografi: Kulla e Lumës (afër derdhjes së lumit Luma në Drinin e Bardhë) ku u shkatërrua një pjesë e grupimit serb.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 228–229.

Fotografia: © https://www.faktor.al/2018/04/02/beteja-heroike-e-lumes-kunder-pushtimit-serb-ne-1912/

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Aleks Baqli

Në Shkodër lindi at Aleks Baqli, klerik katolik, drejtues i Shoqnisë Antoniane, sekretar i Provincës Françeskane Shqiptare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img