U zhvillua “Beteja e Mushqetasë”, luftime kundër forcave gjermane që u zhvilluan në kuadrin e luftës për çlirimin e Tiranës. Forcat gjermane prej mbi 2000 vetash, me tanke e autoblinda, që bënin pjesë në grupin “Steyrer”, ishin tërhequr nga Peqini dhe nga Elbasani dhe drejtoheshin për në Tiranë. Kishin për detyrë të godisnin nga shpina forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare që kishin rrethuar kryeqytetin dhe, pasi t’i shkatërronin ato, të vijonin bashkë me garnizonin gjerman tërheqjen drejt Shkodrës. Shtabi i Korparmatës I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, për të përballuar rrezikun, organizoi veprime të shpejta që përfshinin luftime në pritë e që u shndërruan në sulme të fuqishme për asgjësimin e kolonës armike. Beteja e Mushqetasë u zhvillua në dy rajone nga 9 batalione të Brigadave I, IV, VIII dhe XVII Sulmuese, si dhe batalioni II i Brigadës XV Sulmuese, me rreth 2000 luftëtarë. Rreth orës 16:30 të datës 14 nëntor, kur balli i kolonës gjermane mbërriti tek ura e Erzenit, kurse fundi i saj ishte në Qafë-Kërrabë, u hap zjarr i befasishëm. Luftimet ishin shumë të ashpra për 24 orë, deri në ndeshje trup me trup, dhe përfunduan me asgjësimin e plotë të gjermanëve. Vetëm 300 veta, të shoqëruar me tanke e autoblinda dhe të ndihmuar nga forca të ardhura nga Tirana, mundën të shpëtonin dhe u futën në Tiranë, ku një pjesë u asgjësua mëngjesin e 16 nëntorit nga forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare që luftonin në kryeqytet. Në betejën e Mushqetasë pati shumë nazistë të vrarë, u shkatërrua e u kap i gjithë armatimi, teknika dhe çdo material tjetër luftarak. Kësaj beteje i është kushtuar “Monumenti i Mushqetasë”. (Në fotografi: Monumenti i Mushqetasë, Bërzhitë (Tiranë).)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 229–230.
Fotografia: © https://michaelharrison.org.uk/tag/berzhite/
Përpunim grafik: AHCF




