Një nga masakrat më të mëdha të regjimit komunist, dënimi dhe vrasja kolektive pa gjyq të 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare. Me urdhër të Enver Hoxhës dhe zbatuesit të urdhrave të tij, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve, u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj nga gueriljet komuniste pranë hotel “Bristol” në Tiranë: Ismail Agë Petrela, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Syrja Kokalari, Nebil Çika, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari, Ali Panariti etj. Ismail Agë Petrela një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit, thuhet se në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”. U pushkatuan në skutat e hotel “Bristol”-it pjesëtarët e familjes Kokalari nga Gjirokastra, Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalari. Muntazi dhe Vesimi ishin pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë. Po atë natë u pushkatua dhe Nebil Çika, personalitet në gazetari, i cili drejtoi gazetën “Arbëria” dhe revistën “Minerva”. Shkrimet e tij patën jehonë, duke e cilësuar si shkrimtar të nivelit të lartë për ngritjen e demokracisë. Ushtarë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së familjes Lleshi mesnatën e 12 nëntorit dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit, i cili sapo u shfaq te pragu i derës, u ekzekutua në mënyrë të menjëhershme. Reshat Stërmasi, një tjetër viktimë e asaj nate, pjesë e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, kishte dhënë dorëheqjen për të mos u shërbyer fashistëve. Mori pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, mori pjesë në hapjen e Kongresit të Dibrës (1909) dhe në hapjen e shkollave shqipe në zonën e Dibrës. Strehoi në shtëpinë e tij familjen e Enver Hoxhës gjatë viteve të luftës, por më pas vritet më 12 nëntor. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kreu shkollën teknike në Itali. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut dhe investitor i suksesshëm. Ditët e terrorit komunist, kur njerëzit vriteshin nga gueriljet në prag të shtëpive e nëpër rrugicat e qyteteve, nisën qysh më 28 tetor 1944 e vijuan deri më 16 nëntor 1944. (Në fotografi: Qyteti i Tiranës, 1944.)
Teksti: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, Tiranë.
Fotografia: © https://www.albanianews.al/cultura/storia/17-novembre-1944-liberazione-tirana
Përpunim grafik: AHCF




