Në qytetin e çliruar të Fierit u formua Brigada XI Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua me luftëtarë të 3 batalioneve të grupit të Mallakastrës dhe të një batalioni të Myzeqesë, me një efektiv prej rreth 1200 luftëtarësh, që u organizuan në 4 batalione. Në kuadrin e Luftës së Tiranës më 11 nëntor, në bashkëveprim me Brigadën XII Sulmuese, goditi një autokolonë gjermane në afërsi të Peqinit, së cilës i shkatërroi një pjesë të teknikës luftarake dhe i zuri një sasi armatimi e materiali ushtarak. Më pas lëvizi drejt Durrësit dhe së bashku me forcat e Brigadës XII Sulmuese mori pjesë në çlirimin e Peqinit, Kavajës dhe të Durrësit. U vendos në zonën Durrës-Kavajë-Shijak për të siguruar bregdetin dhe për të spastruar këtë zonë nga kriminelët e luftës. Në periudhën janar–mars 1945, së bashku me disa njësi të tjera të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, mori pjesë në operacionin që u zhvillua në Shqipërinë e Veriut, për të vendosur pushtetin e ri. Shtabi i brigadës u drejtua nga komandanti Mevlan Dervishi dhe komisari Halil Pulaj. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës XI.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 304.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




