3 nëntor 1913 (gusht)
Në Shkodër lindi Lec Shllaku, publicist e shkrimtar. Në vendlindje ndoqi shkollën Françeskane dhe më pas kreu Normalen e Elbasanit. Shërbeu si mësues në Vlorë, Himarë e Përmet (1934–1937). Nga viti 1937, kur nisi studimet e larta në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Firences, deri në vitin 1958 qëndroi në Itali. Në vitin 1958 u shpërngul në Paris, ku qëndroi deri në fund të jetës. Bashkëpunoi me gazetat e revistat e mërgatës shqiptare, si “Shenjëzat”, “Shqiptari i lirë”, “Dielli”, “Jeta katolike”, “Drita e vërtetë”, “Ndërgjegjja” etj., në të cilat shkroi mjaft artikuj, pamflete e komente mbi problemet e artit e kulturës shqiptare. Lec Shllaku botoi revistat: “Kombi shqiptar” e “Shkumbini” (1955–1956); drejtoi revistën politike, kulturore e shoqërore: “Koha e jonë” (1962–1992), e cila qarkullonte në Francë e jashtë saj. Është autor i librit publicistik me temë historike: “Skanderbeg” (1983). Prej vitit 1971 ishte anëtar i organizatës European Community of Journalists (Bashkësia e Gazetarëve Evropianë). U nda nga jeta në Paris, në vitin 1998. (Në fotografi: Lec Shllaku)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2502.
Fotografia: © https://www.radiandradi.com/lec-p-shllaku-dhe-nji-poezi-e-hershme-e-tij-permes-kujtimit-te-primo-shllakut/
Përpunim grafik: AHCF




