Në Tiranë u nda nga jeta Refat Frashëri, mjek bakteriolog, profesor, pjesëmarrës i Lëvizjes Kombëtare të Rilindjes. Lindi në Frashër të Përmetit, në vitin 1862. Kreu Liceun e Gallatasarajit në Stamboll. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Stambollit (1882–1887) dhe mori pjesë në veprimtaritë e lëvizjes atdhetare në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878) e më pas. Filloi punën si mjek në Spitalin Ushtarak të Shkodrës (1888–1898), zv.drejtor dhe më vonë drejtor i Institutit Bakteriologjik të Stambollit dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll (1899–1913). Përshëndeti Shpalljen e Pavarësisë (1912). Më 1913 Turqit e Rinj e përjashtuan nga radhët e profesoratit të Universitetit të Stambollit dhe e internuan në Tripoli të Libanit, ku shërbeu si mjek karantine. Më 1920 u thirr nga qeveria e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe u emërua drejtor i përgjithshëm i Shëndetësisë Shqiptare; qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1931. Zbatoi për herë të parë (në Spitalin Ushtarak të Shkodrës) vaksinimin kundër lisë me anë të metodës së gërvishtjes me koren e plagëve të të sëmurëve nga lia dhe rezultatet e këtij vaksinimi i botoi në Revistën Mjekësore të Stambollit. Botoi në shtypin mjekësor të kohës dhe në Traktatin e Mikrobiologjisë turke studime mbi prodhimin e vaksinës kundër lisë, vaksinimin kundër tuberkulozit, “mikrobin” filtrues (virusin) që shkakton tërbimin etj. Emri i tij u bë i njohur përtej kufijve të Turqisë dhe Shqipërisë. (Në fotografi: Refat Frashëri)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 729.
Fotografia: © https://voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=52669
Përpunim grafik: AHCF




