Në Fajum të Egjiptit lindi Tefta Tashko (Koço), soprano lirike, Artiste e Popullit. Lindi në familjen e atdhetarit Athanas Tashko. Familja e saj u vendos në Korçë, në vitin 1921. Në vitin 1927 nisi studimet për kanto në Monpelie (France) dhe i vijoi në Paris, në Konservatorin Kombëtar të Muzikës dhe Deklamacionit. Në vitet 1931–1932 mori pjesë në konkurset e organizuara nga Konservatori i Parisit, nga “Opera Komike”, ku debutoi në rolin e Baterflajit te “Madamë Baterflaj” e Puçinit. Në vitin 1933 u kthye në atdhe. U bashkua me grupin artistik të drejtuar nga pianistja Lola (Aleksi) Gjoka dhe në vitin 1935 nis të debutojë me këtë grup. Dha koncerte me shumë sukses në Tiranë, Durrës, Korçë, Kavajë, Shkodër, Elbasan, Fier, Vlorë. Nga shtypi i kohës ato cilësohen të nivelit evropian dhe u përshëndetën nga elita intelektuale e vendit. Mori pjesë në koncertin e parë të artistëve lirikë, organizuar me rastin e çlirimit të vendit (dhjetor 1944). Si pjesëmarrëse e grupit të artistëve të vendosur pranë Teatrit Dramatik të Shtetit, dha një numër të madh shfaqjesh në qytete e fshatra të vendit. Më 1945, me ftesë të Teatrit të Operës dhe Baletit të Beogradit, këndoi në rolet e Rozinës e Mimisë në operat “Berberi i Seviljes” (Rosini) dhe “Bohema” (Puçini), që sipas vlerësimeve të shtypit, i interpretoi si një artiste e rangut të lartë. Me hapjen e shkollës së parë muzikore në Shqipëri (1946), Tefta Tashko nisi të japë mësime në degën e kantos, të cilat i ndërpreu për shkak të sëmundjes së rëndë të pashërueshme. Së bashku me pjesëmarrësit e grupit të artistëve, Tefta Tashko është nismëtare e artit të interpretimit profesionist shqiptar. U dallua për nivelin e lartë të interpretimit, si të pjesëve vokale klasike, ashtu edhe të këngëve popullore të përpunuara dhe të stilizuara, si “Kroi i fshatit tonë”, “Asaman, o syri i zi”, “Fryn veriu në mal të thatë”, “Kur më vjen burri nga stani”, “Ç’u gremisa moj lajthatë” etj. Tefta Tashko kishte një zë me cilësi timbrike të klasës së parë, me një diapazon të plotë sopranoje, një fleksibilitet vokal, që i lejonte realizimin e një dinamike të pasur dhe larmi stilesh vokale. Nuancat e holla interpretuese të saj, veçanërisht ato të këngës popullore, kanë lënë gjurmë të dukshme në traditën e të kënduarit lirik shqiptar. U nda nga jeta në vitin 1947. (Në fotografi: Tefta Tashko)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2660–2661.
Fotografia: © https://perpjekjashqiptare.com/in-memoria-tefta-tashko-koco/
Përpunim grafik: AHCF




