Në fshatin Maqi (it. Macchia Albanese) të Kalabrisë lindi Jeronim de Rada, poet, publicist, folklorist, filolog, themeluesi i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, Mësues i Popullit. Mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër (Itali). Më 1848, nxori të parën gazetë shqiptare “Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Jeronim de Rada botoi veprat: “Antichita della nazione albanese” (“Lashtësia e kombit shqiptar”, 1864) dhe “Rapsodie d’un poema albanese” (“Rapsodi të një poeme arbëreshe”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm në propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Ai dha ndihmesë të çmuar për çështjen kombëtare me revistën “Flamuri i kombit”, që botoi në vitet 1883–1885. Zhvilloi veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore; u kushtoi vëmendje çështjes së prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë e tyre. De Rada është nga të parët studiues shqiptarë të strukturës gramatikore të shqipes. Ai bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes me shkronja latine. Nisi të botojë që herët, por krijimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema liriko-epike “Këngët e Milosaos” (1836), vepra e letërsisë romantike shqiptare me vlera të mëdha artistike, e vlerësuar nga Viktor Hygoi si një “vepër e përkryer romantike”. U nda nga jeta në vitin 1903. (Në fotografi: Jeronim de Rada)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 421–423.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Girolamo_de_Rada
Përpunim grafik: AHCF




