Në Fier lindi Marika Kallamata, aktore, “Artise e merituar”. Më 1950 mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe po atë vit filloi punë në Teatrin Popullor. Luajti një sërë rolesh të dyta dhe episodike, duke ravijëzuar karaktere origjinale. Spikati me rolin e shërbyeses në komedinë “Mirandolina” të Goldonit, por roli që e bëri tejet të njohur ishte ai i Aspasisë në komedinë “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës, më 1964. Me aktrimin e saj përtalli anët supersticioze, injorancën dhe snobizmin e grave provinciale, falë kjo një plastike shënjuese, maskës aktoriale shprehëse, gjestit të figurshëm, mimit të zërit “mashkullor” dhe hollësive të shumta kuptimplote e plotësuese, që ndihmuan në realizimin e një karakteri vetanak. Marika Kallamata ishte aktore karakteresh, më së shumti e atyre të kahut komik dhe me ngjyrime groteske; dinte të shfrytëzonte me efektivitet të lartë elementet plastikore, përdorte të folmen dialektale, gjer edhe zhargonet e bisedës së rrugës; krijonte gjasa interesante, detaje kuptimplote, shkaktonte një humor të vetvetishëm si pasojë e përshtatjes me rrethanën ku dhe kur veprohej. Në kinematografi ka luajtur 14 role, të përmasave të vogla e dytësore, edhe këta role-karakteresh, duke nisur më së pari me filmin “Fëmijët e saj”, 1957 dhe duke vijuar me të tjerët si “Dollia e dasmës sime” (Xhiko), “Kur hidheshin themelet” (Havaja), “Ëndërr për një karrige” (Ishja), “Një baba tepër” (Filomena) etj. Marika Kallamata u bë shumë e njohur dhe e dashur, me mënyrën e ngrohtë, joshëse, sugjestive të rrëfimit, duke pasur një nga audiencat më të gjera, posaçërisht me rolin e gjyshes në emisionin e përrallave për fëmijë në Televizionin Shqiptar. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2019. (Në fotografi: Marika Kallamata)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.afp.al/news/2017/06/flet-artistja-e-merituar-marika-kallamata-jeten-artistike-e-fillova-ne-teater-dhe-aty-e-mbylla-30599/
Përpunim grafik: AHCF




