Në Shkodër u nda nga jeta Imzot Lazër Mjedja (1869–1935). Titullar i Kishës Katolike, argjipeshkëv. Lindi në Shkodër, në vitin 1869. Shkollimin e filloi dhe e përfundoi në Seminarin Papnor në Shkodër (1891). Për shugurimin e tij si prift në moshën 21-vjeçare dha leje vetë Papa, meqë nuk lejohej shugurimit si prift pa e arritur moshën 24 vjeç. Edhe emërimi dhe shugurimi i tij ipeshkëv i Sapës, në moshën 31-vjeçare (ndërsa kërkohej mosha 45 vjeç), janë raste të rralla në historinë e kishës. Ndërkaq, në vitin 1905, Selia e Shenjtë e përuroi ndihmës të argjipeshkvit të Shkodrës. Si ipeshkëv i ri u angazhua në hapjen e shkollave dhe në botimin e librave dhe të revistave. Ishte ndër themeluesit e shoqërisë “Agimi”, e cila dha një kontribut të çmuar për gjuhën dhe alfabetin shqip. Nevoja për një argjipeshkëv në Shkup, pas largimit të imzot Trokshit, e sollën Lazër Mjedjën në krye të kësaj argjipeshkvie. Gjatë punës në Argjipeshkvinë e Shkupit përjetoi ngjarje të rënda, si të besimtarëve, ashtu edhe të mbarë popullit shqiptar. Bashkë me dom Zef Ramajn, famullitar në Shkup, përmes konsullatave të huaja, sidomos të asaj austro-hungareze, u përpoqën të sensibilizonin opinionin evropian për gjendjen e shqiptarëve, gjatë luftërave ballkanike dhe pas tyre. Po me këtë qëllim botuan edhe një sërë tekstesh në shtypin austriak. Ishte aktiv edhe në zhvillimet rreth shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Rrethanat e reja politike dhe vdekja e imzot Guerrinit bënë që Lazër Mjedja të transferohej në Shkodër (1921), ku shërbeu deri në fund të jetës. (Në fotografi: Lazër Mjedja)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1118–1119.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Laz%C3%ABr_Mjeda
Përpunim grafik: AHCF




