Në Los Anxhelos, Kaliforni (SHBA) u nda nga jeta Sten Dragoti, regjisor dhe producent shqiptaro-amerikan. Lindi në Nju-Jork, në një familje të mërguar nga Dragoti i Tepelenës, në vitin 1932. Kreu studimet e larta në universitetin “Cooper Union” në Nju-Jork, në degën e arteve vizuale. Në vitin 1959 filloi punën si regjisor i filmave vizatimorë, më pas kaloi në industrinë e reklamave televizive si drejtor artistik, ku realizoi mbi 150 filma-reklamë. Një pjesë e mirë e tyre kanë hyrë në fondin e përhershëm të Muzeut të Arteve Moderne të Nju-Jorkut dhe janë nderuar me çmime të larta, duke përfshirë edhe çmimin “Toni” (çmimi më i lartë i televizionit amerikan) dhënë për serinë e filmave për Nju-Jorkun, me titull të përbashkët “I live New York” (“E dua Nju-Jorkun”). Në vitin 1972 filloi të xhironte edhe filma artistikë, si: “The Dirty Little Bill” (“Billi i vogël i ndyrë”), “Love at First Bite” (“Dashuri me shikim të parë”, 1979), “Mr. Mom” (1983), një film satirë për marrëdhëniet bashkëshortore, “The Man with one red Shoe” (“Njeriu me një këpucë të kuqe”, 1989), ku interpreton edhe aktori shqiptaro-amerikan Xhejms Belushi etj. Sten Dragoti në filmat e tij priret nga problemet familjare dhe shoqërore. Në vitin 1995 vizitoi Shqipërinë si producent. (Në fotografi: Sten Dragoti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 509.
Fotografia: © https://www.imdb.com/name/nm0236769/bio?ref_=nm_ov_bio_sm
Përpunim grafik: AHCF




