U vra në Qafën e Koçiut (Vlorë) Selam Musai, luftëtar dhe komandant i forcave vullnetare për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Salari të Tepelenës, më 1860. Kundërshtimi për dy vjet rresht për të mos shkuar ushtar në ushtrinë osmane dhe lidhja me rrethet e atdhetarëve, e bënë të njohur në krahinë. Shtëpia e tij në Salari dhe stani në mal ishin kthyer në baza për çetat patriotike, si ajo e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos me shokë. Selam Musai mori pjesë në çetat që u ngritën më 1911 e që vepruan në Shqipërinë e Jugut. Në dhjetor 1912, duke iu përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për të mbrojtur vendin nga agresioni i forcave greke, u vu në krye të bashkëfshatarëve të tij dhe shkoi në frontin e luftës, ku u plagos. Më 1920 ishte ndër anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, të ngritur në krahinën e Tepelenës për çlirimin e vendit nga pushtuesit italianë. Megjithëse në moshën 60-vjeçare, doli përsëri në krye të bashkëfshatarëve të vet të armatosur dhe të katundeve të afërta; shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër garnizonit italian të Kotës. Pas shpartallimit të tij, Selam Musai me luftëtarët e vet u rreshtuan të gatshëm për luftime përballë garnizonit të madh të Vlorës. Në luftimet trup me trup me pushtuesit, Selam Musai u vra më 11 qershor. (Në fotografi: Selam Musai)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1779.
Fotografia: © Muzeu Historik Kombëtar
Përpunim grafik: AHCF




