Koçi Xoxe

Lexo ngjarje:

U dënua dhe u pushkatua Koçi Xoxe, veprimtar i lëvizjes komuniste dhe punëtore në Shqipëri, pjesëmarrës i luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, funksionar i lartë i Partisë Komuniste Shqiptare dhe i shtetit. Lindi në fshatin Negovan (sot Flamburo) të prefekturës së Follorinës (Greqi), më 1911. Kreu gjimnazin në Selanik. U vendos në Korçë më 1931, ku mori pjesë në organizimin e shoqërisë “Puna”. U lidh me grupin komunist të Korçës dhe u zgjodh në udhëheqje të tij. Mori pjesë në “demonstratën e bukës” të zhvilluar në Korçë më 21 shkurt 1936 dhe ishte një nga organizatorët e demonstratave antifashiste të prillit 1939 në Korçë. Pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, ku u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror Provizor dhe u ngarkua me organizimin e Partisë. Në verën e vitit 1942, u burgos nga fashistët në Tiranë. Në Konferencën I të Vendit të Partisë Komuniste Shqiptare (17–22 mars 1943) u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar organizativ i Komitetit Qendror. Pas arratisjes nga burgu (vere 1943) u mor me organizimin e formacioneve partizane, sidomos të Brigadave I, IV, VIII, IX, XV dhe XX. Në Kongresin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar (Përmet, 1944) u zgjodh nënkryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe iu dha grada gjenerallejtënant. Në Mbledhjen II të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (Berat, tetor 1944) u emërua zv.kryeministër. Në Kongresin I të Frontit Nacionalçlirimtar (gusht 1945) u zgjodh nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, që u krijua aty. U caktua kryetar i Gjyqit Special (25 dhjetor 1944), i krijuar për të gjykuar bashkëpunëtorët e fashizmit dhe kriminelët e luftës. Në maj 1945 u emërua drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (që më vonë u quajt Sigurimi i Shtetit). Deputet në zgjedhjet e dhjetorit 1945. Në qeverinë që doli nga këto zgjedhje u emërua zv.kryeministër, ministër i Punëve të Brendshme dhe kryetar i Komisionit Kontrollues (mars 1946). Në Plenumin IX të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (shtator 1948) dhe në Kongresin I të Partisë Komuniste Shqiptare (nëntor 1948) u akuzua për veprimtari projugosllave dhe për shkelje të rënda të ligjshmërisë; u shkarkua nga të gjitha funksionet që mbante në Parti dhe në shtet. Në maj 1949 u dënua me vdekje dhe u pushkatua. (Në fotografi: Koçi Xoxe në sallën e gjyqit)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2939.

Fotografia: © https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Ko%C3%A7i_Xoxe.jpg

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Luftimet e Luzhnicës

Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë).
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img