Në Shkodër lindi Ndoc Nikaj, meshtar katolik, prozator, “babai i romanit shqiptar”, përkthyes, botues, anëtar i shoqërisë “Bashkimi”. Studioi në Kolegjin Papnor Shqiptar, në Shkodër. U shugurua më 1888 dhe shërbeu si famullitar në Malësinë e Shkrelit. Më 1909, themeloi ndërmarrjen e tij të vogël botuese “Shtypshkroja Nikaj”. Si botues, më 1 janar 1910 nxori numrin e parë të së përjavshmes “Koha”, që në numrin e dytë u botua me emrin e ndryshuar “Bashkimi”. Në pranverë të vitit 1913, themeloi një gazetë tjetër, “Besa Shqyptare”, që doli dy deri në katër herë në javë, gjer në vitin 1921. Për një periudhë të shkurtër, nga 29 korriku 1915, po kjo gazetë u botua me titullin “Zani i Shkodrës”. Më 1921 u arrestua dhe bëri 46 ditë burg në Tiranë, për arsye që nuk dihen. Duke filluar nga viti 1924, nuk shkroi më. U arrestua në Shkodër, më 9 shtator 1946, në moshën 82-vjeçare, pikërisht ditën e kryengritjes së Postribës. Pas shtypjes së kryengritjes, e hipën mbi gomar dhe e shëtitën nëpër qytet, me një armë të ndryshkur në krah. E akuzuan si pjesëmarrës të lëvizjes dhe pasi e torturuan për disa muaj në hetuesi, ku i kërkonin të tregonte lidhjet me kryengritësit, e dënuan me pesë vjet burg, nga i cili nuk doli me kurrë. U nda nga jeta më 1951. (Në fotografi: Ndoc Nikaj)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2017, faqe 104.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Ndoc_Nikaj
Përpunim grafik: AHCF




