Në Rahovec të Kosovës lindi Selajdin Mullaabazi, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Që nga fillimi i luftës së armatosur u përfshi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 12 maj të vitit 1998 mori pjesë në luftimet në betejën e Bardhatinit dhe që atëherë mbante nofkën luftarake “Komandant Mici”. Më 8–9 qershor të vitit 1998 dha kontribut në formimin e shtabit operativ lokal për batalionin e Rahovecit. Me bashkëluftëtarët e tij arriti të zmbrapste forcat serbe në “Luginën e Shqiponjave” në Rahovec më 25 korrik të vitit 1998. Ishte një nga bartësit e rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në betejën e Rahovecit. Ra dëshmor në luftimet e vitit 1998. (Në fotografi: Selajdin Mullaabazi)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1143.
Fotografia: © https://www.facebook.com/217767694912720/photos/a.701600533196098/2570099726346160/
Përpunim grafik: AHCF




