Rrugës mes Abrisë dhe Likocit të komunës së Skënderajt u vra Shpëtim Robaj, mjek, anesteziolog, dëshmor. Lindi në Prizren, në vitin 1957. Kreu arsimin fillor dhe të mesëm në Prishtinë, ndërsa studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë (1982). Fillimisht punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas. Specializimin nga anesteziologjia me reanimim e vazhdoi në Universitetin e Zagrebit, të Rijekës dhe të Shkupit. U emërua asistent për lëndën e kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në vitin 1991, bashkë me kuadrin shqiptar u përjashtua nga puna. Filloi punën në poliklinikën private “Galaksia”, duke vazhduar ushtrimet me studentë në Fakultetin e Mjekësisë. Pas fillimit të luftës në Kosovë, Shpëtim Robaj ishte ndër vullnetarët e parë nga radhët e mjekëve specialistë, të cilët operuan në zonat e luftës, duke i ardhur në ndihmë popullsisë civile dhe ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte organizatori kryesor i ekipeve të specialistëve nga Prishtina, që shkuan në Drenicë dhe në zona të tjera të luftës. (Në fotografi: Shpëtim Robaj)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1435.
Fotografia: © https://klankosova.tv/sot-jane-bere-22-vjet-nga-renia-e-mjekut-dhe-humanistit-shpetim-robaj3/
Përpunim grafik: AHCF




